Presidenca kosovare sqaron: Kërkojmë të drejta për luginën, jo bashkim

schedule12:25 - 31 Korrik, 2018

schedule 12:25 - 31 Korrik, 2018

Zyra e presidentit Thaçi njofton se në Bruksel në dialogun me Serbinë do të kërkohen të drejta për shqiptarët e tri komunave shqiptare në Serbi. Gjithashtu bën me dije se nuk do të kërkohet bashkimi i tyre me Kosovën.

Presidenca e Kosovës edhe një herë ka bërë të ditur se në bisedimet e Brukselit me Serbinë do të diskutohet edhe për çështjen e Luginës së Preshevës. Zyrtarë nga Presidenca kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se aty do të adresohen probleme të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga respektimi i të drejtave elementare njerëzore e deri tek ato kombëtare e politike. Megjithatë, ideja e bashkimit me Kosovën është rrëzuar nga shefi i stafit të kreut të shtetit.

Në anën tjetër, liderët shqiptarë të Preshevës, të Medvegjës e të Bujanovcit kanë kërkuar sërish që Lugina të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës Lindore i kanë thënë gazetës “Zëri” se edhe kjo pjesë e banuar me shqiptarë duhet të përfshihet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Të hënën, presidenti Hashim Thaçi i cilësoi lajme false që synojnë të keqinformojnë opinionin publik, raportimet se në Bruksel diskutohet me palën serbe lidhur me shkëmbimet e territorit. Më saktësisht, mediat e Prishtinës raportuan se komuna më veriore e Kosovës- Leposaviçi bashkë me Leshakun mund të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë të Bujanovcit.

Pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe liqeni më i madh artificial që gjendet në veri të Kosovës, Gazivoda. Ndërkohë, takimi i radhës mes Thaçit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç lidhur me dialogun mes dy vendeve do të zhvillohet në muajin Shtator./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!