Gjenden inde në vendin e shpërthimit: Rritet misteri në SHBA, një zë paralajmëroi pastaj plasi

schedule23:13 - 26 Dhjetor, 2020

schedule 23:13 - 26 Dhjetor, 2020

Vijon të jetë mister shpërthimi i një ruloti një Nashvill të SHBA-ve, ndërsa sëfundmi autoritetet kanë gjetur disa inde në vendin e ngjarjes duke bërë që të nisin verifikimet nëse ato kanë të bëjnë me të.

CNN raporton se indet do të verifikohen nëse kanë të bëjnë me ndonjë person që lidhet me shpërthimin apo nëse dikush është hedhur në erë bashkë me rulotin.

Shpërthimi, i cili ndodhi në zemër të kryeqytetit muzikor të Amerikës dhe që u dëgjua shumë kilometra larg, shkatërroi disa automjete dhe dëmtoi më shumë se 40 biznese.

Ruloti i parkuar në një rrugë në qendër të qytetit më të madh të shtetit Tenesi, shpërtheu në të gdhirën e së premtes pak çaste pasi policia, e cila po shkonte aty në përgjigje të raportimeve për të shtëna me armë, e vuri re automjetin dhe dëgjoi një mesazh të inçizuar që paralajmëronte për bombë.

Ende nuk është e qartë se çfarë mjetesh shpërthimi u përdorën apo nëse dikush ishte brenda automjetit kur ai shpërtheu, por hetuesit po analizojnë ato që besohet se mund të jenë mbetje njerëzore të gjetura në afërsi të vendit të ngjarjes, tha policia.

Policia nuk dha asnjë motiv të mundshëm apo se kush mund të ishte përgjegjës për ngjarjen, ndërkohë që zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit Nashville e quajtën shpërthimin një “veprim të qëllimshëm” dhe premtuan se do të gjenin zanafillën e tij.

Dhjetëra agjentë nga FBI-ja dhe Byroja Amerikane e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve vazhdojnë të ruajnë zonën e ngjarjes, brenda së cilës makinat e parkuara dhe pemët ishin nxirë dhe një tub uji i shpërthyer i kishte mbuluar pemët me një shtresë akulli gjatë natës. Gjithsej u dëmtuan 41 biznese, tha Kryetari i Bashkisë John Cooper.

Një regjistrim, pastaj një shpërthim

Incidenti i së premtes kishte një natyrë misterioze, siç përshkruhet edhe nga dëshmitarët. Në fillim u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, pastaj një regjistrim i zërit të një gruaje me një paralajmërim rrënqethës që vinte nga automjeti para se të shpërthente.

“Zona duhet të evakuohet tani. Zona duhet të evakuohet tani. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona,” thoshte mesazhi i cili u dëgjua për disa minuta para shpërthimit.

Policia u përpoq të evakuonte shtëpitë dhe ndërtesat aty pranë dhe thirri një skuadër për çaktivizimin e bombave, e cila ishte ende rrugës për në vendin e ngjarjes kur ruloti shpërtheu fare pranë një ndërtese të zyrës së kompanisë së telekomunikacionit AT&T ku ishte parkuar.

Policia më vonë postoi një foto të rulotit, që sipas saj kishte mbërritur në zonë rreth katër orë para shpërthimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!