Lushnje, vetëm tre zjarrfikës për të shpëtuar banorët

schedule16:45 - 30 Korrik, 2018

schedule 16:45 - 30 Korrik, 2018

Në Lushnje vetëm tre zjarrfikës mund të shpëtojnë jetët e njerëzve në një situatë zjarri. Shefi i këtij reparti tregon vështirësitë që kalojnë punonjësit, ndërsa numri i thirrjeve për ndihmë në këtë periudhë është dyfishuar.

Shumë pak njerëz për të shuar zjarret. Nuk kanë as infrastrukturën dhe as mjetet e punës. Por këta janë herojntë që shpëtojnë jetët njerëzore. Për zjarrfikësit e Lushnjes mjafton një telefonatë. Dhe për 40 sekonda, ata nisën drejt vendngjarjes. Janë momente nga puna e përditshme e këtij stacioni.

Këtë muaj, numri i thirrjeve për rënie zjarri është dyfishuar. Saktësia në dhënien e adresës së vendit të ngjarjes është tepër e rëndësishme për ndërhyrjen në kohë.

“I bëjmë thirrje njerëzve që të na japin informacion të saktë, adresën”.

Tre punonjës të zjarrfikëses nisen për çdo rast. Janë të vetmit për të përballuar situatën.

Por shpërblimi i kënaqësisë që ata marrin për punën e tyre është i madh, kur dëmet janë të vogla.

“Numri i zjarrfikësve që ne kemi nuk është i mjaftueshëm sepse para disa vitesh ne kemi qenë efektivë mbi 20 vetë. Tani jemi tre vetë në grup”.

Në bazë të ligjit për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi duke iu referuar numrit të popullsisë, Lushnja duhet të kishte 66 punonjës. Organika është e pamjaftueshme thotë Fatmir Bozi, shef i këtij shërbimi, çka e bën të vështirë ushtrimin e këtij profesioni në rastet kur kërkohet ndihma njëkohësisht në dy vende.

“Dy mjetet që kemi ne për këtë organikë që kemi ne janë të mjaftueshme, por nëse do të kërkohet që të  zbatohet ligji, mbi bazën e numrit të popullsisë në bashkinë që mbulon stacioni duhet të ketë një numër të konsiderueshëm”.

Dy makina zjarrfikëse, prodhim i viteve 80-të, kanë përballuar 69 raste nga të cilat 28 kanë qenë ndërhyrje për shpëtim jetësh njerëzore. Shërbimi 24-orësh dhe pritja e alarmit për zjarr çdo moment për 133 mijë banorë të Lushnjes kryhet vetëm nga 14 punonjës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!