Në banesën e Josif Kavajës, 45-vjeçarit që terrorizoi policinë me armë dhe qëndroi i “ngujuar” për 12 orë, janë gjetur 13500 fishekë model 56, një kuti me 70 fishekë pistolete 30 granata difesive, rreth 2 kilogram kanabis sattiva dhe një sasi me fara kanabis. Sipas policisë në momentin e arrestimit, blutë gjetën dhe sekuestruan edhe armën e zjarrit me të cilën ky shtetas qëlloi mbi policinë si dhe një sopatë.
“Në vijim të informacionit të dhënë për sulmin me armë nga shtetasi J.K ndaj forcave të Drejorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe më pas ndaj forcave Rena , ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit shtetasi J.K u plagos, veprimet kanë vijuar me kontrollin e banesës.
Si rezultat i kontrollit të banesës të kryer nga Grupi i Posaçëm Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 13500 fishekë model 56, një kuti me 70 fishekë pistolete 30 granata difesive, rreth 2 kilogram kanabis sattiva dhe një sasi me fara kanabis. Më parë në momentin e arrestimit , policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e zjarrit me të cilën ky shtetas qëlloi mbi policinë si dhe një sopat”, njofton policia.
Për disa orë, Kavaja u arratis drejt pyllit pranë fshatit Seltë e cila është një zonë e pabanuar. Policia rrethoi zonën por ai mundi të mbyllej në banesë duke u “ngujuar” përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit. Vëllai i tij i ka kërkuar të dorëzohet, por Kavaja ka refuzuar deri mëngjesin e sotëm. Ai u kap më pas pas një shkëmbimi zjarri me policinë ku si pasojë mbeti i plagosur.
Rasti i Kavajës është i ngjashëm me atë të Lefter Zhidrus, i cili disa muaj më parë ai terrorizoi Elbasanin për disa orë duke qëlluar në drejtim të policisë. Kjo e fundit kishte marrë informacion se ky i fundit ushtronte dhunë ndaj vajzës dhe bashkëshortes por me ndërhyrjen në banesë, ai qëlloi me armë. Pas disa orësh forcat RENEA qëlluan drejt tij duke e lënë të vdekur. Zhidru e kishte përshtatur banesën në një “minë me sahat” të cilën fatmirësisht nuk mundi ta shpërthente./mv.abcnews.al