Avokati, i cili ka mbrojtur ish-udhëheqësin e Serbisë, Slobodan Millosheviç, për krimet e tij të luftës është qëlluar për vdekje në Beograd. Dragoslav Ognjanoviç, 57 vjeç, është jurist shumë i rëndësishëm në Serbi. Ai u vra të shtunën në darkë jashtë ndërtesës ku banonte në kryeqytetin serb.
Ndërsa, djali i tij 26-vjeçar është plagosur gjatë të shtënave, ka deklaruar Ministria e Brendshme serbe. Ognjanoviç shërbeu në ekipin juridik të Millosheviçit gjatë gjyqit në Hagë.
Ish-presidenti i Sebisë u arrestua në 2001-shin dhe u mbajt në gjykatën për krimet e luftës të Kombeve të Bashkuara për akuzën e gjenocidit dhe disa krime të tjera lufte. Ai përballej me tre akuza në lidhje me mizoritë që kreu në Kosovë, krimet në Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje në vitet 1992 dhe 1995.
Procesi gjyqësor ndaj Millosheviçit nuk mbaroi deri në fund, pasi ai u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2006.
Ndërkohë BBC shkruan se avokati kishte mbrojtur edhe disa raste të rëndësishme të mafias në Serbi dhe Mal të Zi. Autoritetet bëjnë të ditur se një numër i lartë anëtarësh të rëndësishëm të mafias serbe dhe malazeze janë vrarë në Beograd vitet e fundit. Sipas tyre, vrasjet janë pjesë e një lufte bandash për të zotëruar tregun e paligjshëm të drogës./abcnews.al