Mesha e Krishtlindjeve, është mbajtur pasditen e sotme në orën 18:00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Tradita e do që ky ritual të zhvillohej në orën 00:00 por ora policore ka detyruar përfaqësuesit fetarë ta afrojnë atë për të respektuar orarin e lëvzijes së lirë.
Mesha është mbajtur nga Imzot George Frendo i cili uroj besimtarët për kremtimin e Krishtlindjes. Ai tha se pavarësisht ditëve të vështira që po kalojnë kësaj feste nuk i “shuhet” shkëlqimi.
Pavarësisht pandemisë, në Kishë u vu re një numër i madh besimtarësh katolikë të kujdesur për të ruajtur distancën dhe të pajisur me maska.
Ora e re policore ngjalli pakënaqësi në radhët e besimtarëve. Dy ditë më parë Imzot Frendo iu drejtua me një letër zv. ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli duke deklaruar se në këtë mënyrë po diskriminohen besimtarët katolikë. Por në studion e ABC ajo u shpreh se kjo bëhet për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, të cilët në kohë feste janë të prirur për t’u grumbulluar./mv.abcnews.al