Marrëdhëniet tregtare mes Amerikës dhe Europës janë përmirësuar nga vizita e fundit e Jean Claude Juncker në Uashington. Por ministrja gjermane e Agrikulturës paralajmëron se ato mund të cënohen sërish pasi BE mund të mos bjerë dakord me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës po përmirësohen, por nuk ka asnjë garanci se ky trend pozitiv do të vazhdojë. Kështu ka deklaruar në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ministrja gjermane e Agrikulturës, Julia Kokner. Ministrja ka nënvizuar se nuk është e sigurtë nëse Bashkimi Europian do të pranojë blerjen e produkteve amerikane në sasinë e dëshiruar nga Uashingtoni.
“A do të bëjmë ne çfarëdo lloj gjëje që presidenti Trump dëshiron? Nuk e di. Të shohim ç’do të ndodhë”, ka thënë Kokner.
Tendenca e marrëdhënieve dypalëshe ndryshoi gjatë vizitës që presidenti i KE, Jean Claude Juncker kreu në fillim të javës në Uashington. Në përfundim të saj, presidenti Trump publikoi marrëveshjen surprizë, që sipas tij do të ndihmojë fermerët amerikanë.
“Bashkimi Europian do të fillojë thuajse menjëherë blerjen e farave të sojës”, tha Trump për gazetarët.
BE pritet të importojë mbi 15 milionë tonelata fara soje në periudhën e korrjeve 2018-2019. Për ministren gjermane, më tepër sesa një fitore, marrëveshja e nënshkruar me Juncker ka qenë një domosdoshmëri për Trump për shkak të tarifave reciproke të vendosura nga Europa, por edhe Kina.
“Duke pasur parasysh se fermerët janë mbështetësit kryesorë të presidentit amerikan, pa dyshim që ata e kanë ndjerë presionin. Mendoj se Trump e ka kuptuar këtë, ndaj dhe tani po hyjmë në një marrëdhënie të re, më pozitive”, ka vijuar Kokner.
Edhe zyrtarë të tjerë europianë janë shprehur të lehtësuar pasi Trump dhe Juncker vendosën t’i japin fund luftës tregtare në dy anët e Atlantikut. /abcnews.al