Prokuroria ka pushuar hetimet për Albert dhe Seit Manahasën të arrestuar pak muaj më parë për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan. Abcnews.al mëson se babë e bir janë lënë të lirë, pasi nuk rezultojnë të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.
Seit dhe Albert Manahasa u arrestuan në 27 korrik, pasi poshtë një sebratori makinash në servisin ne pronësi të tyre u gjet një armë tip TT.
Bëhet me dije se pas disa muaj hetimesh policia dhe prokuroria e Elbasanit, zbuloi se armën e ka hedhur një person i paidentifikuar. Nga pamjet një i ri zbret nga mjeti dhe vendos ne sebrator armën.
Ky i fundit dyshohet të jetë autori i vrasjes së Ramazanit në aksin Elbasan-Peqin. I dyshuar për vrasjen është Klevis Kapllanaj, i cili u ekzekutua një muaj më pas pranë banesës së tij me kallashnikov, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. Sipas hetimeve Emiljano Ramazani u vra nga Nuredin Dumani së bashku me Klevis Kapllanajn.
Për shkak të prishjes së pazareve mes tyre pas vrasjes së Ramazanit, dyshohet se Dumani ekzekutoi edhe mikun e tij Kapllanajn më 15 shtator. /abcnews.al