Një muaj larg lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë, Donald Trump premton se do të përdorë veton për planin e stimulimit prej 900 miliard dollarësh, i miratuar pas muajsh debatesh mes demokratëve dhe republikanëve. Në mënyrë të veçantë Trump kërkon që të eliminohen nga kjo paketë të gjitha ndihmat që nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me emergjencën e Covid dhe që amerikanët të marrin shuma deri në 2 mijë dollarë dhe jo 600 dollarë sa është parashikuar aktualisht.
Me anë të një video prej katër minutash të postuar në Twitter, Trump e cilëson të turpshëm planin e ndihmave. Por demokratët kanë reaguar menjëherë duke thënë se dhe ata janë gati që të japin 2 mijë dollarë ndihma për çdo amerikan. Presidenti i zgjedhur Joe Biden nga ana e tij e cilësoi planin si një hap të parë dhe vetëm një pjesë të vogël të asaj që duhet bërë për vendin. Ai premtoi se sapo të hynte në shtëpinë e bardhë do të kërkonte ndihma të reja nga kongresi.
Ndërkohë shtëpia e bardhë pak minuta para se të kritikonte planin e stimujve për ekonominë, publikoi një listë me 20 emra: 15 prej të cilëve janë falur nga presidenti , ndërsa pesë të tjerëve iu reduktua dënimi. Në listë janë dhe dy personazhe të përfshirë në skandalin Russiagate, katër kontraktorë të përfshirë në vrasjen e civilëve irakianë dhe tre republikanë ish anëtarë të kongresit. Por analistët amerikanë janë të bindur se këto ditë pritet që Trump të falë dhe persona të tjerë të dënuar./abcnews.al