Agim Agushi vendosi sërish një rekord “Guinness” duke arritur të veshë dhe zhveshë për 152 herë fanellën sportive ndërsa godiste topin me top. Në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, xhongleri nga Kosova u shpreh se rekordi është vendosur në ditën e Pavarësisë së SHBA-ve një vit më parë.
“Ky rekord është realizuar me 4 Korrik 2019 për ditën e Pavarësisë së SHBA-së, një rekord Guinness dedikuar për Pavarësinë e SHBA-së. Veshja dhe zhveshja e fanellës sportive duke qëndruar në një hapësirë prej 1 metër katrorë, arrita 152 herë. Rekordi është certifikuar me 13 Prill 2020 dhe së fundmi videoja e publikuar është shpallur ndër më të pëlqyerat për vitin 2020 nga faqja e Guinness.”, u shpreh Agimi.
Megjithatë ky nuk është i vetmi sukses për të, pasi Agimi ka vendosur më parë dhe 6 rekorde të tjera Guinness. Xhongleri tha se qëllimi i tij është të arrijë 10 rekorde, një prej të cilëve dëshiron ta vendosë në Shqipëri.
“Qëllimi kryesor është të arrij së paku 10 rekorde Guinness por shpresoj që një ta realizoj në Shqipëri dhe certifikata të shkruhet atje dhe jo vetëm në Kosovë. Fitoj emocione, krenari me veten, për popullin mbi të gjitha. Kur kam filluar për herë të parë të realizoj rekorde, qëllimi parësor ka qenë që shqiptarët dhe Kosovën ta fus në librin Guinness dhe e arrita për herë të parë me 14 Gusht 2005.”, shtoi më tej ai. /abcnews.al