Në një operacion të Policisë së Shkodrës janë ndaluar nëntë persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që realizonte kalimin e paligjshëm të kufirit me destinacion Anglinë dhe SHBA-në kundrejt pagesës.
Një grup i strukturuar kriminal që merrej me trafik personash drejt Anglisë dhe SHBA u arrestuan në një operacion të Policisë së Shkodrës. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të ndryshme realizohej kalimi i paligjshëm i kufirit të shtetasve të ndryshëm kundrejt pagesës që varionte nga 8.000 euro deri në 12.000 euro.
Koka e grupit ishte 44-vjeçari Gazment Garupi nga Shkodra i ndaluar bashkë me 8 persona të tjerë, kurse dy janë në kërkim.
Ndihma e ofruar konsistonte në pajisjen e shqiptarëve me dokumente të huaja dhe nga përdorimi i tyre realizohej kalimi për në Angli dhe SHBA.
“Autorët e arrestuar dhe rolet që kryenin në grup janë:
- Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër,. Ky shtetas ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.
- Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.
- Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në rolin e bashkëpunëtorit.
- Bledjan Ramadani, 29 vjeç, banues në Kosmaç Shkodër, në rolin e ndihmësit.
- Eduart Shima, 37 vjeç, banues në Shkjezë, Shkodër në rolin e rekrutuesit.
- Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).
- Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e transportuesit dhe ndihmësit.
- Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
- Tonin Shtjefni 27 vjec banues në Lezhë, përfitues dhe përdorues i dokumentave të falsifikuar.
Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali-Maltë-Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Itali-Maltë–Angli-SHBA.
Këta shtetas u ofronin personave të interesuar, shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar nje laborator per falsifikimin e dokumenteve
ku u gjetën njësi kompjuteri, laptopë, skanera, printera, vula të ndryshme, usb, pasaportë biometrike, karta identiteti, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu./abcnews.al