“Pozitiv pas 15 minutash”, “ABC” vëzhgon pikat e testimit të shpejtë në Tiranë

schedule18:01 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 18:01 - 22 Dhjetor, 2020

Nga Ema Shazivari 

Ka ardhur në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë për të bërë testin e shpejtë. Me shenjat e koronavirusit ai dyshon se mund të jetë infektuar, pasi babai i tij ka rezultuar pozitiv. “U sëmur babai, tani unë po i bëj shërbim, edhe po ruhem, të bëj testin. Kam pasur pak kollë kështu”.

Pas 15 minutash mori përgjigjen, dhe rezultoi pozitiv. Por si mund t’i referohet një qytetar pikës së testimit? Këtë e shpjegon mjekja e familjes Jonida Diko.

“Për të gjithë këta persona që janë të dyshuar, ose kanë pasur kontakt me një pozitiv, mjeku i familjes, pasi ka komunikuar me këta pacientë, mendon dhe vlerëson sipas indikatorëve të kryerjes së testit të shpejtë.

Sepse ka një indikator për të dalë tek pozitiviteti i testit, pret 3-4 ditë, për të gjithë simptomat e pacientit, dhe nëse ai pacient nuk shfaq simptoma, atëherë nuk është i nevojshëm realizimi i testit. Të gjithë pacientët paraqiten në një fashë orare, për të mos pasur grumbullime”.

Ndërsa për personat që shfaqin simptoma të COVID-19, por në fakt rezultojnë negativ në tamponin e shpejtë , Diko sqaron se si procedohet.

“Për të gjithë pacientët që kanë simptoma të COVID-19, dhe testi u vlerësohet negativ, mjeku i familjes e ndjek në dinamikë për 14 ditë, i jep mjekimet, dhe pas 14 ditësh, komunikon me pacientin për të parë ecurinë”. 

Për 24 orë në këtë qendër shëndetësore, janë kryer 90 testime. Ato kryhen në 3 fasha orare, për të gjithë personat që dyshojnë se janë të infektuar nga COVID.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!