Varianti i ri i koronavirusit që është zbuluar në Britani ka vendosur në lëvizje autoritetet shqiptare, që kanë vendosur të pezullojnë fluturimet nga Britania në Shqipëri nga nesër deri në datë 6 janar.
Gjithashtu është vendosur që qytetarët që vijnë nga Britania në Shqipëri duhet të qëndrojnë 14 ditë karantinë. Lajmi u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Jemi në këtë komunikim periodik për të informuar qytetarët për situatën e COVID19 në vendin tonë dhe masat me qëllim kufizimin e përhapjes së Covid 19. Sot ka patur mbledhjen e radhës Komitetit Teknik i Ekspertëve dhe pas analizës së situatës epidemiologjike, informacioneve të reja të deritanishme lidhur me mutacioni e ri të identifikuar të SARS COV2, ka vendosur të rekomandojë marrjen e masave të shtuara në mbrojtje të shëndetit publik nga infeksioni Sars-Cov2.
Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve, mbi variantin e ri të Sars-Cov 2, të identifikuar në Britaninë e Madhe, e cila gjatë javëve të fundit është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me Covid19, jemi informuar se autoritetet e Britanisë së Madhe dhe vendet e BE po vijojnë kryerjen e hetimeve të tjera epidemiologjike, për të vlerësuar më tej impaktin e këtij variant të ri të Sars-Cov 2.
ECDC vlerëson paraprakisht se ky mutacion i ri i Sars-Cov 2 është në mënyrë të konsiderueshme më i transmetueshëm se variantet që kanë qarkulluar më parë. Rritja e transmetueshmërisë çon në rritje të gjasave për përhapje më të shpejtë, sidomos në këtë kohë të vitit, ku ka intensitet të shtuar të kontakteve, rritje të grumbullimeve familjare dhe sociale. Sa më sipër, duke marrë në konsideratë rekomandimet e Komitetit Teknik, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së infeksionit si dhe riskut të lartë të shkaktuar nga varianti i ri i Sars Cov2, kemi vendosur:
Pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, date 22 Dhjetor, deri në datë 06 Janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera. Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14 ditor vjen si një masë paraprake, për të shmangur këtë infeksion apo mutacion të ri të Sars-Covi2” tha ministrja.
Nesër janë planifikuar tre udhëtime nga Britania në Tiranë, por cfarë do të ndodhë me pasagjerët? “Vendimi që është marrë për pezullimin e fluturimeve nga nesër ora 06:00 e mëngjesit, pezullon të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe.
Ky është një vendim që do të përkthehet edhe në një vendim të ministrisë së Infrastrukturës për të koordinuar të gjitha veprimet edhe në aspektin e linjave të transportit ajror” tha ministrja./ db/Abcnews.al