Nisin testet e shpejta në 6 qendra, Manastirliu paralajmëron masa të reja: Festoni në familje

schedule12:50 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 12:50 - 21 Dhjetor, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar masa të reja kufizuese për festat e fundvitit. Ajo tha se këto masat që do të merren do të bëhen me dije për qytetarët ndërsa bëri apel që këtë vit të festohet në familje.

“Në vijim do hapen edhe pika të reja. Të gjitha do ta kryejnë testimin. Është shumë e rëndësishme që tashmë që vijnë edhe festat e fundvitit të jemi vigjilentë për masat e fundvitit përgjatë festave dhe pas tyre dhe mosneglizhimi i asnjë simptome. Rekomandimet për masat që do të marrim do të bëhen me dije për të gjithë qytetarët. Le të festojmë në familje këtë vit”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se nga sot do të nisë testimi i shpejtë në 6 pikat e qendrave shëndetësore në Tiranë të cilat më pas do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

“Sot kemi filluar me testimin e shpejtë në 6 pika të identifikuar për të kryer testimet në komunitet ku qytetarët janë pjesë e indikacioneve vijnë në këto qendra për ta kryer në kohë reale. Nga ana tjetër testimi PCR vazhdon. Epidemiologët janë në terren, Vazhdon rritja e kapaciteteve tona me qëllim kufizimin e përhapjes së COVID. Nga sot ka filluar testimi i shpejtë në këto qendra dhe më pas do të vazhdojë në gjithë Shqipërisë”, u shpreh ajo.

Qendrat shëndetësore ku do të bëhet testi i shpejtë

-Pika në qendrën shëndetësore nr.9

-Pika në qendrën shëndetësore nr.10

-Pika në qendrën shëndetësore të Kombinatit

-Në qytetin studenti

-Në Kodër Kamëz

-Në pikën e qendrës shëndetësore nr.4

/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!