Prodhimi i shalqirit në fshatin Imsht të Lushnjes ka përfunduar si ushqim për bagëtitë. Fermerët thonë për ABC News se nuk kanë gjetur treg për shitjen e shalqirit pasi nuk ka kërkesa.
Qerim dhe Behije Pirra nga fshati Imsht i Lushnjes nuk arritën ta shisnin në treg shalqirin e tyre. Nuk përfundoi në kanal, por zgjodhën t’ua hedhin bagëtive. Kryefamiljari Pirra thotë se prodhimi i mbeti pa shitur nga mungesa e tregut.
“Më shumë po e hanë lopët prodhimin sesa njerëzit”, tha Behije Pirra.
Nëse vjeljen e parë e shiten me 60 lekë kilogrami, për të dytën nuk kishte kërkesa.
“Nga e keqja. Shumica qelbet atje dhe lopët nuk i hanë të gjitha ato që mbjellim ne”, tha zonja Pirra.
“Kam 8 dynym sipërfaqe, kam shitur550 kuintalë dhe kam dalë minus 500 mijë lekë nga harxhimi”, tha Qerim Pirra.
Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe fermerët e tjerë të këtij fshati. Pronarët që kanë mbjellë sipërfaqe të mëdha me këtë kulturë nuk kanë më interes as të vjelin prodhimin e tyre. Në këto kushte shalqiri qëndron në arë duke u kalbur e tharë.
“Prodhimi qe shumë i dobët.”
“Me këtë nuk justifikon dot punën, jo koston”.
400 ha është mbjellë me shalqi këtë vit në zonën e Imshtës. Problemeve të mungesës së tregut dhe çmimit të ulët, i shtohet edhe ai i rrugës së fshatit. Aksi kryesor është i pakalueshëm për automjetet, shumica e të cilave nuk vijnë në zonë për të marrë prodhimet.
Gjatë kësaj jave, çmimi i shalqirit ka variuar nga 3 deri në 5 lekë për kilogramë në tregun e shumicës, duke kapur nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit. /abcnews.al