Koronavirusi i merr jetën violinistit të shquar të TKOB

schedule22:19 - 20 Dhjetor, 2020

schedule 22:19 - 20 Dhjetor, 2020

Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 74-vjeçare violinistit Pavllo Papalilo. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, TKOB shkruan se Papalilo ishte një ndër violinistët më të spikatur.

Njoftimi i plotë:

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të një ndër violinistëve të spikatur të TKOBAP-së, Pavllo Papalilo.

Pavllo Papalilo u nda sot nga jeta në moshën 74-vjeçare pas një lufte me Covid-19, të cilën nuk e fitoi dot.

Violinisti Papalilo e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1970 si violinist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit deri në daljen e tij në pension në vitin 2013.

Pasioni dhe korrektësia ka karakterizuar violinistin Papalilo në punën e tij për 4 dekada me radhë, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e realizuara nga TKOB, opera, balete, koncerte simfonike, si brenda dhe jashtë vendit. Do të mbetet artisti që u shqua për urtësinë dhe thjeshtësinë e tij, njeriu model i orkestrës.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij.

I paharruar kujitmi i tij!