Arrestohet Nikoll Sherrniku 21-vjeç, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së efektivit Xhulio Prela mëngjesin e 5 Dhjetorit. Policia njofton se Sherrniku, është vënë në pranga ditën e djeshme ndërkohë që bashkëpunëtori i tij B.M. është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Uniformat blu bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Tashmë po vijojnë hetimet për gjetjen dhe kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur si dhe kontrolli për gjetjen e armës së krimit.
“Zbardhet vrasja e punonjësit të Policisë XH.P, ndodhur më 05.12.2020 ,në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush. Grupi i posaçëm hetimor pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Mbasditen e djeshme, Policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes si dhe shpalli në kërkim bashkëautorin tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.P.,punonjës i FNSH-së Shkodër, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N.Sh.dhe B.M. Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh. dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkëautori tjetër shtetasi B.M, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intesive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e latpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh.P, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit si dhe vijon kontrollin për gjetjen e armës së krimit”, njofton policia.
26-vjeçari po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen. Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra duke përfunduar në anë të rrugës./mv.abcnews.al