Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët në Tiranë, me liderin e opozitës Lulzim Basha, deklaroi se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë ndasi.
Osmani bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet vendeve, në mënyrë që t’i shërbejnë qytetarëve, ndërsa falënderoi Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe kryetarin e PD Lulzim Basha, për mikpritjen.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se Shqipëria duhet të bëhet vendi i dytë pas Kosovës që dënon genocidin serb në Kosovë, pasi sipas saj nuk duhet lejuar që të mohohet sakrifica për liri e kryer nga qytetarët e Kosovës, ndërso thekson se pa u vendosur drejtësia për luftën e UÇK-së, Ballkani sipas saj nuk do të jetë në paqe.
“Si përfaqësuese e institucioneve të Kosovës detyra ime është të flas me zërin e qytetarëve dhe të kërkoj bashkëpunimin e sinqertë mes dy motrash. Mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të duhej në asnjë moment të kishte keqkuptim.
Të gjithë duhet të bashkëpunojmë bashkë, që flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë të valëvitet krah njëra-tjetrës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Jemi një shpirt i pamposhtur dhe si të tillë do të duhet të vepronim. Kërkesa jonë është që Shqipëria të jetë vendi i dytë pas Kosovë që të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.
Është e domosdoshme që për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë t’i dënojmë bashkarisht dhe më një zë të qartë dhe pa asnjë pikëpyetje. Sot jemi gjatë si popull për shkak të sakrificës për liri, për shkak të luftës që ka bërë ushtria jonë, por edhe për shkak se fuqitë më të mëdha ishin dhe janë me ne. Ashtu siç vepruam me një zë në të kaluar ashtu të veprojmë edhe tani”, tha Osmani.
Ndërkohë lideri i opozitës Lulzim Basha, gjatë konferencës së përbashkët deklaroi se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha potencialet për të udhëhequr luftën kundër korrupsionit.
Basha gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohje ndaj presidentes së Kosovës, duke e siguruar se PD do të jetë e hapur për çdo bashkëpunim.
“Si nip i juaj do të bëjmë gjithçka që të rikthejmë bashkëpunimin në nivele të larta”, tha ai.
/abcnews.al/


