30 vjeçarit Goli, i “bëhet goli”

schedule19:28 - 27 Tetor, 2017

schedule 19:28 - 27 Tetor, 2017

Një 30 vjeçar nga Librazhdi, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë, iu gjetën dy mina me telekomandë, të gatshme për shpërthim si dhe një sasi e konsiderueshme kokaine. Pas arrestimit, Landi Goli nuk ka pranuar të flasë për grupin hetimor.
Një 30 vjeçar është arrestuar pasi është kapur në flagrancë me dy bomba me telekomandë të gatshme për shpërthim. Landi Goli, 30 vjeç, u prangos pas një aksioni të prokurorisë në bashkëpunim me forcat e policisë nr.6 në kryeqytet. Arrestimi i tij në flagrancë është bërë në periferi të kryeqytetit, ne rrugën “Teodor Keko”. Për disa orë aksioni është mbajtur i fshehtë, pasi grupi hetimor është vënë në ndjekje të disa personave të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të 30 vjeçarit të lindur në fshatin Zdrajsh Verri të librazhdit. Të riut i janë gjetur gjithashtu edhe më shumë se 200 gramë lëndë narkotike kokainë. Goli, që prej më shumë se një jave ishte nën vëzhgim policor dhe në momentin që është ndërhyrë dhe kryer neutralizimi i tij ai është kapur në flagrancë me dy minat me telekomandë të cilat ishin të lidhura me dy telefona të modeleve të vjetra si dhe disa gramë lëndë të forta narkotike. Landi Goli dyshohet se është një person me rrezikshmëri të lartë dhe se dy minat me telekomandë të përgatitura në mënyrë artizanale me lëndë plasëse nitrat amoni, mund të ishte e planifikuar për ndonjë atentat të mundshëm. Pas arrestimit, 30 vjeçari nuk ka pranuar që të flasë për grupin hetimor, duke mos dhënë sqarime se për çfarë do të përdorej lënda plasëse që iu kap në flagrancë. Landi Goli pritet të përgjigjet për akuzat e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!