Duke folur në një konferencë për mediat, kreyministri Edi Rama është shprehur ndër të tjera se vaksina për Covid-19 do të jetë falas dhe jo e detyrueshme.
Po ashtu, kreu i qeverisë njoftoi se pavarësisht tërmetit dhe pandemisë, nuk do të mungojnë këtë fundvit, shpërblimet për pensionistët.
“Vaksina do të jetë falas për ata që duan të vaksinohen. Do vazhdojmë të kthejmë në shtëpi njerëzit, deri në familjen e fundit. Ne po përgatisim aktin normativ dhe pavarësisht gjithë këtyre pengesave të befasishme me të cilët na ka ndeshur tërmeti dhe pandemia ne do vendosim 34 milionë dollarë për pensionistët për vitin e ri. Nuk do heqim asnjë qindarkë, nga ajo që kishim planifikuar pa rënë tërmeti dhe pa rënë pandemia,” – tha Rama.
Më tej, Rama theksoi, se përkundër atyre që thuhet, qeveria që ai drejton nuk është e një pakice. Sipas tij, e kundërta është e vërtetë.
“Një gjë, dua ta them, kush i thotë që është qeveri e një pakice, e dhjetë oligarkëve, i merr të keqen. E kundërta është e vërtetë. Është dashur të vijë kjo shumicë para 7 viteve, të ulet për të bërë detyrën, që të pasurit të paguajnë më shumë, dhe ata që fitojnë më pak të paguajnë më pak.”
Po ashtu, duke komentuar protestat e ditëve të fundit, kryeministri u shpreh se mendon se është një fatkeqësi e madhe që njerëz me eksperiencë dhe prani publike, nuk ngrënë zërin për atë që ai e quajti abuzim me të miturit.
Sipas kreut të qeverisë, ky është një turp i pashoq ndërsa shtoi se nxitja e të rinjve është “shitur” si shpërthim i një zemërate popullore.
“Mendoj që është fatkeqësi e madhe që njerëz me eksperiencë, me prani publike.. shfaqin opinionet, të jenë kaq të pandjeshëm, kaq të ndërkryer, ndaj qeverisë dhe kaq të mbushur me një ndjenjë hakmarrjeje. saqë të mos e ngrënë zërin për një fakt tmerrësisht të trishtueshëm që ka ndodhur këto ditë në Shqipëri. Abuzimi me të miturit. Dhe ta interpretosh, këtë shfaqje abuzimi, si shpërthimin e një zemërata popullore.. revolte gjenuine që vjen nga një frustrim i brendshëm, i shoqërisë…do të thotë që duhet të ndjehemi të alarmuar, jo uni si kryeministër, s’flas fare këtu për qeverinë apo kryeministër.
Është përtej skandalozes, turp i pashoq. Ti riabuzojnë të miturit, duke i përdorur si argument për të vazhduar të pikturojnë një panoramë revolucioni që kanë kohë që e nxisin dhe e presin. Rënie në një nivel që nga pikëpamja humane është katastrofë. Ata që janë pas tyre janë kriminelë.” s.b/abcnews.al/