Ka përfunduar pa marrëveshje konkrete takimi i liderëve të partive qeveritare dhe opozitare në Maqedoni. Ata u takuan për të gjetur një dakordësi për pyetjen e referendumit dhe ndryshimit në kodin zgjedhor. E vetmja dakordësi e arritur është që të ketë një takim tjetër të dielën.
Takimi mes liderëve të katër partive, Zoran Zaev, Hristijan Mickovski, Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami në Maqedoni përfundoi pa marrëveshje konkrete. Dakordësia e vetme e katër bashkëbiseduesve ishte që të takohen përsëri të dielën ose të hënën për të tentuar që të tejkalojnë përfundimisht dallimet për formimin e komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe organizimin e referendumit për marrëveshjen me Greqinë.
Zoran Zaev: “Qëllimet strategjike të vendit tonë, Republika e Maqedonisë dhe të gjitha partive parlamentare janë anëtarësimi i plotë i Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE. Kompromis për qëllimet strategjike nuk ka, amnesti direkte ose indirekte nuk ka. Do t’i japim mundësi dialogut dhe bisedimeve, derisa të jetë e mundur. Kështu që ka çështje që lehtë dakordohen, por ka çështje që nuk daordohen lehtë, por besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi është në ditë të numëruara”.
Ndërsa, lideri i opozitës maqedonase e cilëson si pozitiv këtë takim.
Hristijan Mickoski, kryetar i Vmro-Dpmne: “Për disa tema kemi përafrim qëndrimesh, për disa nuk kemi. U dakorduam që të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes të takohemi në këtë format, të shohim se si do të zhvillohen punimet dhe më pas të diskutojmë për detajet”.
Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski nuk dha qëndrim të prerë lidhur me propozimin e kryeministrit Zoran Zaev për formulimin e pyetjes së referendumit. Ai vetëm tha shkurt se ende nuk kanë arritur bisedimet tek ajo pikë dhe pasi të hapet si temë do të shpalosë edhe qëndrimet e partisë së tij.
Deri më tani propozimi i vetëm për pyetjen e referendumit është: “A mbështesni anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Nga ana tjetër, kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i Lëvizjes Besa që ngeli në opozitë, Bilall Kasami, thanë se ky është një moment i rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët./abcnews.al