Kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla dhe drejtuesi politik për qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja mbrëmjen e sotme udhëtuan për në kryeqendrën e veriut pas incidenteve që ndodhën paradite në protestë, ku u bastis selia e socialistëve dhe bazës materiale iu vendos zjarri jashtë zyrave.
Beqja akuzoi opozitën dhe Presidentin, ndërsa i kërkoi prokurorisë të hetojë edhe kryebashkiaken Voltana Ademi, që sipas tij nuk iu përgjigj policisë për sjelljen e zjarrfikësve për ta shuar zjarrin që në momentin e parë.
“Ngjarja e sotme është e trishtueshme. Sigurisht është një përpjekje e dëshpëruar e opozitave për të shfrytëzuar një ngjarje tragjike të ndodhur para disa ditëve, vrasjen e një të riu nga një punonjës policie. Vetëm një policë nuk mund të jetë policia e shtetit. Polici është arrestuar, hetimet janë filluar dhe ministri Lleshaj bëri një gjest politik.
Ka një përpjekje të shëmtuar për të përdorur fëmijët si kamikazë për qëllime të ulëta politike, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Jam i mërzitur pse u gjet Shkodra për të bërë një provokim të ndyrë. Sigurisht nuk është kjo Shkodra.
Shkodra nuk është ajo që u pa shot, për fat të keq, sot u përdor nga mesa duket, grupe të caktuara të cilat nën presionin e OFL-së mendojnë se mund të gjejnë mbështetje tek një person i cili ka dalë për zot gjoja do të jetë ministër i Brendshëm pas 25 prillit.
Ilir Meta ta harrojë nuk mund të përdorë Shkodrën për qëllime politike, as Monika Kryemadhi që mund të mendojë se mund të jetë ministre e Financave e ardhshme, që të dali për zot këtyre grupeve kriminale.
Basha duket se është i pazoti të drejtojë PD-në, ashtu sikur nuk pranoj qëndrimin tinëzar të Voltana Ademit. Protestuesit u drejtuan enkas nga qelia e PS-së për të krijuar incidente, me fëmijët në ballë. U kërkoj prindërve të mos lejojnë fëmijët të përdoren si mish për top.
Ndërkohë që ftoj prokurorinë të kontrolloj veprimet administrative të Voltana Ademit, minimalisht mos përgjigjen ndaj policisë për sjelljen e zjarrfikësve për ta shuar zjarrin që në momentin e parë.
Ne do të vijojmë të qëndrojmë me maturi dhe dinjitet. Nuk cenon imazhin e PS-së një djegie orendish krejt të parëndësishme në pjesën e rrugës përballë selisë, ne do të vijojmë të qëndrojmë me maturi, me dinjitet dhe vendosmëri” tha Beqja.
Por cfarë komenti ka Beqja për faktin që Ademi iu drejtua prokurorisë? “Skuthen politike nuk e ka as kërkush, jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë. Është evidentete që që nga dje është në krye të kësaj proteste” tha ai.
Ndërkohë që kreu i grupit të PS-së, Balla tha se “Ka një parti që prej 30 vitesh është munduar ta përdorë Shkodrën, kjo është PD-ja dhe bashkë me të është bashkuar edhe Ilir Meta për të përdorur Shkodrën për qëllime të ndyra politike. Sulmi ndaj selisë së PS-së në Tiranë dhe Shkodër është i porositur” tha ai./ db/Abcnews.al