Nxitje të protestave në 2017, Irani ekzekuton gazetarin

schedule08:30 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 08:30 - 12 Dhjetor, 2020

 Irani ka ekzekutuar gazetarin për nxitje të protestave masive kundër krizës ekonomike në vitin 2017.

Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, thanë se gazetari 47 vjeç, Ruhollah Zam, është ekzekutuar të shtunën në mëngjes, pa dhënë detaje  të tjera.

Gazetari i dënuar kishte shpërndarë oraret e protestave dhe të dhëna turpëruese për zyrtarët përmes një faqe të internetit dhe një kanali që e kishte krijuar në aplikacionin e popullarizuar, Telegram.

Protestat që kishin nisur në fund të vitit 2017 ishin sfida më e madhe për pushtetin në Iran që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 dhe e përgatitën terrenin për kryengritje të ngjashme masive në nëntor të vitit të kaluar.

Motivi fillestar i protestuesve më 2017 ishte rritja e papritur e çmimit të ushqimeve. Megjithatë, me përhapjen e protestave nga qyteti në qytet,  u kthyen në kryengritje kundër tërë klasës politike.

Në videot e shpërndara nga gazetari i dënuar dëgjoheshin thirrje kundër presidentit Hassan Rouhani dhe madje edhe kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Në kanalin e tij ishin edhe oraret dhe detajet organizative të protestave.

Zam, i cili kishte thënë se ka ikur nga Irani pasi është akuzuar në mënyrë të rreme për bashkëpunim me shërbimet e huaja të inteligjencës, kishte mohuar se ka nxitur dhunë. Në protestat e vitit 2017 u vranë pesë persona dhe rreth 5.000 të arrestuar.

Zam kishte jetuar në Francë për një kohë të gjatë. Franca e ka kritikuar dënimin me vdekje për gazetarin dhe e ka quajtur goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Iran./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!