Shpëtim Duro është një trajner me karrierë të pasur në vendin tonë. Ai ka provuar të fitojë edhe titullin kampion me Skënderbeun, ndërkohë që me misionin për të bërë më të mirën i është bashkuar ditën e sotme Laçit.
Drejtuesit e kurbinasve kishin nisur me të bisedimet që pas largimit të Armando Cungut, por ngërçi ishte çështja e stafit. Gjithsesi tani është zyrtare dhe Duro do ta nisë aventurën e tij më Laçin në një transfertë të vështirë kundër Teutës.
Për trajnerin kryeqytetas në Laç e kanë shprehur tifozët respektin dhe kjo ka ndodhur 10 vite më parë, kur Duro ishte në krye të Besës. Në një stadium të mbushur me tifozë, në fund të prillit të vitit 2010, verdhezinjtë triumfonin me rezultatin 0-1.
Shënonte Alban Dragusha dhe në fushë ishin shumë emra të njohur, me Orges Shehin që ndalte çdo top të kurbinasve, kurse Bledi Shkëmbi i kontaktuar tani për stolin te Laçi, organizonte sulmet. Në rrethimin e fushës binin në sy edhe disa banderola.
Asokohe ato ishin të zakonshme. Në atë ndeshje kishte diçka për Erjon Vucajn, Ervin Llanin dhe çuditërisht edhe për Shpëtim Duron. “Respekte Duro” dhe me siguri trajneri i emëruar sot te Laçi do ketë mbetur i habitur.
10 vite më pas e sheh veten bardhezi dhe do tentojë t’u kthejë buzëqeshjen tifozëve kurbinas, që në këto javë të para të kampionatit janë zhgënjyer disi nga rezultatet e skuadrës së zemrës. Potenciali është, thjesht duhet kthyer besimi dhe të “luten” për pak fat para portës… /abcnews.al
Shpëtim Duro është trajneri i ri i ekipit tonë. Mirë se vjen në familjen bardhezi profesor
#NewCoach
#ShpëtimDuro
#ParaLaçiPosted by K.F Laçi on Friday, December 11, 2020

