Brexit, May i shpëton për fije votimit në parlament

schedule09:36 - 18 Korrik, 2018

schedule 09:36 - 18 Korrik, 2018

Kryeministrja britanike ka kaluar të martën me sukses një votim mbi strategjinë e Brexit, që konsiderohej një test për ekzistencën e qeverisë së saj. Një grup deputetësh laburistë i kanë ardhur në ndihmë Theresa May, që “kërcënohej” nga rebelimi i 12 konservatorëve.

Kryeministrja Theresa May i ka shpëtuar për fije një humbjeje përballë ligjvënësve pro BE-së në Parlament, të cilët kërkonin ndryshimin e strategjisë post Brexit. Deputetët dëshironin që Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohet unionit doganor nëse nuk arrihet një marrëveshje për tregtinë e lirë me Unionin europian.

Por qeveria, e cila pretendon se një union doganor do ta pengonte në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare, e ka kaluar testin me 307 vota përballë 301. Në prag të votimit, konservatorët kishin deklaruar se një dështim do të çonte në mbajtjen e një votëbesimi për qeverinë. Kjo e fundit megjithatë humbi në një votim tjetër që kishte të bënte me ligjin për tregtinë e ilaçeve pas daljes nga BE-ja.

Ligjvënësit votuan me 305 vota kundrejt 301 që Britania të vazhdojë të jetë pjesë e rrjetit rregullator europian për ilaçet mjekësore. Mes konservatorëve ishin 12 deputetë “rebelë” që kërcënonin May, për shkak se kërkonin qëndrimin në të dyja unionet, por në votën për doganat qeveria u mbështet nga 4 laburistë.

Unioni doganor lejon tregtinë pa tarifa mes vendeve anëtare dhe parashikon aplikimin e një takse të përbashkët për importet nga kontinentet e tjera të botës. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars 2019, por konservatorëve dhe laburistëve u duhet të bien dakord mbi mënyrën se si do të funksionojnë marrëdhëniet tregtare më pas./abcnews.al