Diktatori i Koresë së Veriut si rrallëherë ka kritikuar zyrtarët e një administrate lokale për vonesat në projektet ekonomike. Madje Kim Jong-un pasi vizitoi një hotel turistik është shprehur se vaskat aty ishin më të papastra se një rezervuar peshku.
Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka lëshuar një valë të pazakontë kritikash ndaj zyrtarëve lidhur me vonesat në përfundimin e projekteve ekonomike. Zakonisht, liderët e vendit komunist përgëzojnë zyrtarët gjatë vizitave në fabrika. Por këtë herë media shtetërore raportoi se Kim Jong-un mbeti pa fjalë, ndërsa një impjant energjie ishte përfunduar vetëm 70% e tij, si dhe u ankua për vaskat e resorteve turistike, duke thënë se janë më të papastra se një rezervuar peshku.
Pheniani prej shumë kohësh ka nxitur progresin ekonomik si qëllim të dytë sëbashku me zhvillimin e armëve bërthamore. Inspektimi i fundit i Kim Jong-un u zhvillua në katër sajte në afërsi të kufirit me Kinën. Në impjantin e energjisë ai u ankua pse ishte përfunduar vetëm 70% e punës, ndërsa ndërtimi kishte nisur para 17 vitesh.
Ndërkohë, gazeta shtetërore e Koresë së Veriut “Rodong Sinmun” i ka kushtuar 9 faqe këtij problemi në përparimin e projekteve ekonomike. Normalisht këto kritike nuk bëhen apo publikohen në media, të paktën në shumicën e rasteve, për të mbajtur imazhin e vendit perfekt. Por këtë herë, çdo gjë po ndryshon siç duket.
Përtej kësaj, një tjetër problem që ngrenë analistët ndërkombëtar është fati i drejtuesve të këtyre projekteve. Ata shprehen se dyshojnë që drejtuesit e projekteve ose do të vriten ose do të dërgohen në punë të rëndomta./abcnews.al