Disa të arrestuar, përplasje, gaz lotsjellës, gjak, tym dhe flakë. Gjithçka ndodhi mbrëmjen e sotme në protestën e dytë të qytetarëve në Tiranë.
Ndryshe nga mbrëmë sonte kishte më shumë efektivë policie se qytetarë.
Nisja e protestës ishte në të njëjtin moment me fjalimin e kryeministrit Edi Rama që njoftoi dorëheqjen e Sandër Lleshajt, gjë që duket se ndikoi te pjesëmarrja më e ulët në shesh krahasuar me 24 orët e kaluara.
Qytetarët që zbritën për të protestuar e nisën planin nga ministria e Brendshme.
Tensionet filluan menjëherë, pasi hodhën rrethimin metalik duke ua drejtuar efektivëve. Më pas u nisën drejt Kryeministrisë.
Momentet e tensionit dhe përplasjes ishin të shumta përpara selisë së qeverisë, ndërsa situata eskaloi, pasi policia hodhi gaz lotsjellës edhe kundër gazetarëve, ndërsa kamerat kapën momentin kur një qytetar u godit me shkop gome në kokë dhe spraj me piper. “Ç’a je t’u bo mo, s’ju preka” dëgjohen fjalët e të riut.
Më pas protestuesit u drejtuan për në zonën e Bllokut duke djegur disa kosha mbeturinash dhe shkatërruar disa kioska, ndërsa dhuna nuk kurseu as ambasadën zvicerane.
Drejtoria e policisë së Tiranës ishte finalja e protestuesve, por jo të gjithë arritën atje, pasi rrugës disa u shoqëruan nga policia dhe disa u shpërndanë me gaz lotsjellës.
Të arrestuarit janë disa, ndërsa nesër pritet që të ketë të tjerë. Protesta pati edhe në disa qytete të tjera të vendit për vrasjen e të riut Klodian Rasha./ db/Abcnews.al