Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, kreu i Kremlinit, Vladimir Putin u shpreh se ky është një fillim i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë, referuar takimit të fundit me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Trump.
Gjërat kanë ndryshuar për mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë pas takimit në Helsinki. Është një fillim, madje një fillim i mirë. Ka qenë kjo deklarata e presidentit rus Vladimir Putin, gjatë intervistës për gazetarin e Fox News, Kris Uallas menjëherë pas takimit me Trump. Putin shtoi se Rusia si shtet nuk ka ndërhyrë asnjëherë me çështjet amerikane.
I pyetur nga gazetari për akuzat ndaj 12 shtetasve rusë nga ana e prokurorit amerikan Muller, presidenti rus, fillimisht pohoi se ishte shumë qesharake të mendosh se dikush nga Rusia ka mundur të influencojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjen e miliona amerikanëve. Më pas Uallas i dha një kopje të dosjes së akuzave. Putin buzëqeshi, por nuk e mori dhe iu lut gazetarit ta vendoste mbi tryezë./abcnews.al