Me brohoritje dhe urime për suskesin e arritur në Botërorin 2018 janë pritur dhe djemtë e kombëtares kroate. Rreth 250 mijë tifozë u mblodhen në sheshe e rrugë duke mirëpritur lojtarët.
Me një brohoritje të fuqishme krenarie dhe gëzimi, lojtarët e kombëtares kroate të futbollit kanë kaluar në tapetin e kuq të shtruar posaçërisht për ta në Zagreb. Disa dhjetëra mijëra njerëz të veshur me ngjyrat simbolike kombëtare të kuqe e të bardhë ngritën flamurin kroat në kryeqytetin e vendit për të përshëndetur ekipin.
Futbollistët, të cilët përshkuan rrugën kryesore të Zagrebit deri në sheshin qendror me një autobus të hapur, shtrënguan duart me tifozët dhe nënshkruan autografë. Policia deklaroi se mbi 250 mijë vetë ishin mbledhur në qendër të qytetit dhe shumë të tjerë përgjatë aksit nga aeroporti deri në shesh.
Autobusi udhëtoi për disa orë, shpesh herë duke u ndalur pasi bllokohej nga turma. Disa mijëra fansa, pjesa dërrmuese të cilëve vinin nga zonat e tjera të vendit, kishin mbërritur në Zagreb që në orët e para të mëngjesit dhe shumë prej tyre i zuri gjumi nga lodhja. Autoritetet u detyruan të dërgonin autobotë me ujë për t’u ardhur atyre në ndihmë.
Kroacia arriti për herë të parë në finalen e një botërori dhe pavarësisht humbjes përballë Francës, shpirti i saj luftarak spikati në ndeshjet e luajtura. “Bravo, ju lumtë”, “Jeni krenaria jonë”, apo “Jeni krenaria e Kroacisë” ishin parullat e sportdashësve të mbledhur në rrugët e qytetit./abcnews.al