Hakerët vjedhin të dhënat e vaksinës Pfizer/BioNTech

schedule13:14 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 13:14 - 10 Dhjetor, 2020

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe kompania partnere gjermane BioNTech njoftuan të mërkurën se dokumenta që kanë të bëjnë me zhvillimin e vaksinës për COVID-19 ishin marrë në mënyrë të paligjshme gjatë një sulmi kibernetik ndaj agjencisë rregullatore europiane.

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech thanë se nuk besojnë të jenë kompromentuar të dhënat personale të pjesëmarrësve në prova dhe se EMA “ka ofruar garanci se sulmi nuk do të ndikojë tek koha për dhënien e vlerësimit për vaksinën”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur ose si ndodhi sulmi, kush ishte përgjegjës ose çfarë informacioni tjetër mund të ishte komprometuar.

Të dyja kompanitë thanë se ishin informuar nga EMA “se agjencia i është nënshtruar një sulmi kibernetik dhe se disa dokumente në lidhje me dokumentacionin rregullator për vaksinën kandidate të Pfizer dhe BioNTech për COVID-19 … ishin marrë në mënyrë të paligjshme”.

Ata shtuan se “asnjë sistem i BioNTech ose Pfizer nuk është dëmtuar në lidhje me këtë incident dhe ne nuk jemi në dijeni që ndonjë pjesëmarrës i studimit të jetë identifikuar përmes të dhënave të marra”.

Një zëdhënëse e BioNTech nuk pranoi të komentojë më tej. Kompania Pfizer nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për komente të mëtejshme.

Përpjekjet e piraterisë kibernetike kundër institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe mjekësor janë intensifikuar gjatë pandemisë COVID-19.

Vjedhja e informacionit rreth mënyrës së prodhimit të një vaksine fituese dhe efektive – apo edhe thjesht mbledhjes së informacionit rreth mënyrës se si ajo do të shpërndahet – do të ishte thesar informacioni për shërbimet e zbulimit ndërsa bota lufton me një nga pandemitë më të dëmshme që mund të mbahet mend.

Virusi i rrugëve të frymëmarrjes, i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019, ka infektuar më shumë se 68 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas një përllogaritjeje të agjencisë Reuters. Më shumë se 1.5 milion njerëz kanë vdekur./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!