Avokatët e fushatës zgjedhore të Presidentit Donald Trump theksuan të martën synimin për të vazhduar paditë ligjore deri në janar edhe pse të gjitha shtetet, përveç njërit, kanë çertifikuar tashmë rezultatin e zgjedhjeve, që nxjerrin Biden fitues.
Presidenti Trump tha se do të ndërhynte në një aktpadi të re të paraqitur në Gjykatën e Lartë nga prokurori konservator i Teksasit, Ken Paxton, i cili kërkon të përmbysë fitoren e Biden në Georgia Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani.
17 shtete të tjera, ku Presidenti Trump rezultoi fitues, po ashtu shprehën mbështetje për padinë e ngritur nga Paxton, e cila u paraqit të mërkurën.
Padia përfshin një numër pretendimesh lidhur me parregullsi në votim dhe në numërimin e votave në këto katër shtete, të cilat në shumicën e rasteve janë hedhur poshtë në gjykatat shtetërore e federale në shtetet individuale.
“Ka prova masive për mashtrime të përhapura në katër shtete ose më tepër, të përmendura në padinë në Teksas,” tha presidenti në Twitter. “Shihni regjistrimet dhe dëshmitë me shkrim!”
Paxton ka ngritur pretendimin se katër shtetet ndaj të cilëve ai ka paraqitur padi, e shfrytëzuan pandeminë si justifikim jo-kushtetues për të anashkaluar autoritetin e legjislaturave shtetërore për ndryshimin e ligjeve zgjedhore, “duke dobësuar integritetin e zgjedhjeve”.
Ai i kërkon gjykatës të zgjasë afatin përtej të hënës, kur Kolegji Elektoral pritet të votojë për fituesin. Gjykata e Lartë u ka dhënë shteteve të përmendura në padi afat deri të enjten t’u përgjigjen akuzave, por prokurorët e përgjithshëm të këtyre shteteve reaguan duke thënë se zoti Paxton gabohet në pretendimet e tij.
Prokurorët e përgjithshëm në katër shtetet, ndaj të cilave zoti Paxton ka ngritur padi, e quajtën veprimin një “marifet për publicitet”, “cirk” dhe akt “vërtet të turpshëm”.
Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen, apo të thotë nëse ka në plan të marrë pjesë në inaugurimin e zotit Biden më 20 janar.
Trump ka pretenduar vazhdimisht, por pa ofruar asnjë provë, se procesi i votimit dhe numërimi i votave u manipuluan. Avokatët e tij kanë humbur me dhjetëra padi në shtetet kyçe të betejës elektorale.
Trump është përpjekur gjithashtu të bindë ligjvënësit e disa shteteve që të injorojnë rezultatin e votimit e të zgjedhin anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në favor të tij, por asnjë nuk ka pranuar ta bëjë këtë./abcnews.al