Epidemiologët në Gjirokastër japin alarmin se, të sëmurët me Covid lëvizin në qytet duke mos respektuar karantinën.
Shefi i kësaj drejtorie, Arenc Brahimi, thotë se në këto kushte është e pamundur ulja e numrit të të infektuarve pavarësisht se në këtë qytet kanë mbërritur testet e shpejta.
“Ka nga ata pacientë që e kalojnë me një temperaturë të thjeshtë, por ka nga ata që e neglizhojnë dhe lëvizin lirshëm në qytet”, shprehet ai.
ISHP e Gjirokastrës është furnizuar ditën e mërkurë me 400 teste të shpejta, përgjigja e të cilave del brenda 30 minutash.
“Deri tani janë aplikuar 17 për ata pacientë të cilët duhet ti kenë shfaqur shenjat deri në 5 ditë”, thotë ai.
Të sëmurët me simptoma apo jo, të cilët duhet të qëndrojnë të izoluar, shkojnë vetë pranë DSHP për kryerjen e testeve të shpejta në shkelje të procedurës së miratuar nga institucionet shëndetësore në Tiranë.
Epidemiologët thonë se në Gjirokastër nuk ka pasur raste të rënda shëndetësore po megjithatë sërish apelojnë për që qytetarët të mos i neglizhojnë simptomat.
“Pacientët në përgjithësi e kalojnë me simptoma të lehta, por gjithmonë theksoj ata pacientë të cilët drejtohet që në momentet e para pranë mjekut të familjes”, shprehet ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, qarku i Gjirokastrës ka aktualisht 489 raste aktive.
/abcnews.al/