Burrat me Covid-19 kanë më shumë shanse se gratë që të përfundojnë në njësitë e kujdesit, sipas një studimi të ri.
Gjetjet e fundit, të publikuara në revistën “Nature Communications” sugjerojnë se edhe pse nuk ka ndonjë diferenca të madhe mes numrit të grave dhe të burrave që infektohen me koronavirus, burrat kanë tre herë më shumë shanse që të kenë nevoje për trajtim intensiv, raportojnë mediat.
Po ashtu, mundësia që ata të humbin jetën si pasojë e Covid-19, është më e madhe krahasuar me gratë. Në studim, u analizuan të dhëna nga më shumë se 3 milionë raste me Covid-19 të raportuara në të gjithë botën mes janarit dhe qershorit.
Kërkuesit, që ishin nga University College London dhe Universiteti i Cape Toën, analizuan me kujdes të dhënat bazuar në gjininë dhe gjendjen e personave të infektuar. Kur vjen puna tek pranimet ne spitale, të dhënat tregojnë se nga 12,000 pranime në njësitë e kujdesit intensiv, rreth 8,000 prej tyre ishin burra dhe 4,000 ishin gra, sipas studiuesve.
Ndërsa, mes 200,000 vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19, rreth 120,000 ishin burra ndërsa 91,000 ishin gra. Megjithatë, kërkime më të thelluara duhen për të vendosur se cilët faktorë biologjikë mund të jenë ndikuar në këto rezultate. s.b/abcnews.al/