Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u ndal sot në Kukës duke paraqitur masat e marra me nisjen e shirave që do të sjellë problematika në rrugët e vendit. Janë 500 mjete, 5 mijë tonë kripë dhe afro 1200 punonjës, në të gjithë vendin në gatishmëri për të garantuar qarkullimin. Balluku u takua edhe me kreun e Bashkisë së Kukësit Safet Gjici i cili paraqiti dy problematika në këtë qytet.
Gjici tha se kanë hasur problem me rrugën e Shishtavecit e cila është e pamundur të menaxhohet nga bashkia që ai drejton, duke kërkuar të kalojë në juridiksionin e ARRSH. Ndërsa shtoi se problematikë është riparimi i ujësjellësit, pasi qytetarët në periudhën e verës furnizohen vetëm gjysmë ore ujë. Ministrja deklaroi se brenda vitit 2021 do të hapet aeroporti i Kukësit ndërsa janë në proces edhe disa punë të mira në shërbim të qytetit.
Pjesë nga biseda
Balluku: Kemi zgjedhur të vijmë në Kukës sepse deri më tani na ka favorizuar moti por tani presim reshjet e para të borës, shira dhe temperatura të ulëta.
Gjici: Unë besoj që janë marrë masat në mënyrë të shkëlqyer. Besoj se ka kohën e vet çdo gjë. Kemi një problem në lidhje me rrugën e Shishtavecit që ne kemi bërë disa herë shkresa për ta marrë në juridiksionin tuaj. Është e pamundur që ta mbajmë ne si bashki.
Balluku: E qartë, e qartë.
Gjici: Shishtaveci është rrugë turistike. Dhe mirëmbajtja që kemi bërë ne nuk ka qenë në nivelin e duhur për shkak të personelit dhe mjeteve.
Balluku: Bashkëpunimi i bashkisë dhe ARRSH ka qenë gjithmonë dhe është i rëndësishëm. Më bëhet qejfi që pajisjet janë të disponueshme. Kukësi është një qytet i rëndësishëm edhe si pikë turistike. Po shkojmë drejt përfundimit të Aeroportit të Kukësit i cili do të jetë gati brenda pranverës së vitit 2021. Sapo kemi mbaruar procedurën për rrugën që do të lidhë qytetin me aeroportin e Kukësit për të mos kaluar brenda qytetit.
Gjici: Kukësi ka marrë tani formën e vet të zhvillimit. Tani të gjithë po binden që aeroporti është duke u bërë. Ujësjellësi është një kërkesë e kahershme e qytetarëve të Kukësit. Sepse në periudhën e verës mbetet qyteti me gjysmë orë në ditë./mv.abcnews.al