Ekzekutimi i Vajdin Lamajt u zbardh 15 vite më pas nga SPAK-u, që akuzoi Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin në bashkëpunim me bandën e Durrësit. Por si ndodhi ngjarja asokohe? Erzen Breçani, ish-zyrtar i policisë rrëfen momentet e para kur arriti në vendin e ngjarjes.
“Në atë periudhë kam qenë grupi i gatshëm te RENEA. Shkuam në vendin e ngjarjes dhe mesa kujtoj, u bë pas shumë orësh nxjerrja e tyre, ishte këputur komplet, ishte edhe pjesë me ujë. Ashensorët në atë kohë panë pasur një pjesë bosh sipër, që mund të vendosësh sa të duash sipër (eksploziv).
E kanë aktivizuar në një distancë jo shumë larg, se ka qenë me telekomandë dhe në kushtet e pamjes që të kontrollojnë personat kur të hyjnë. Ka qenë i dyshuar po Emiljano Shullazi, u bë kontrolli i banesës dhe u arrestua asokohe, pasi iu gjet një arsenal armësh” tha Breçani.
Artan Hoxha tregon si arritën që të penetronin atentatorët. “Pallati kishte dy ashensorë për të qenë të sigurt se nuk do të merrte ashensorin tjetër, ata (autorët) kanë futur njerëz dhe ashensori tjetër ka pasur defekt një ditë para dhe nuk punonte. Kjo ka qenë një nga ngjarjet më të organizuara në atë kohë.
4 muaj përpara iu bë një atentat tjetër. Pas asaj ngjarje e rriti nivelin e sigurisë. Por edhe në nivel të shtuar sigurie ata penetruan brenda. Eksplozivi ka qenë i drejtuar, ka pasur një pllakë çeliku dhe kur të jepej shpërthimi, të shkonte poshtë, prandaj dëmi ishte i madh. Një nga personat që mund të jepte elementë, u ekzekutua vetë, Aleks Keka me minë. Ajo ngjarje pati edhe vijim mbrapa” tha ai në Opinion.
Zëvendës drejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj paralajmëroi për goditje të tjera në ditët në vijim. “Në ditët në vijim do të ketë operacione të kësaj natyre dhe këtu do të jemi do të shikojmë edhe reagimin e institucioneve të drejtësisë shqiptare që jep shpresë” tha ai./ db/Abcnews.al