“ABC” publikon foton e biznesmenit Vajdin Lamaj të ekzekutuar 15 vite më parë me eksploziv në ashensorin e pallatit, teksa po ngjitej në banesë.
SPAK zbardhi sot ekzekutimin e biznesmenit dhe për këtë akuzoi Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin me bashkëpunimin e bandës së Durrësit.
Lexo edhe: SPAK: Shullazi vrau Vajdin Lamen 15 vite më parë, Lul Berisha në kërkim për ekzekutimin e rivalit
Por si ndodhi vrasja e Lamajt dhe Artan Arsit, që tronditi Tiranën? Ata u ekzekutuan në 27 shkurt të vitit 2005, rreth orës 23:50 si pasojë e shpërthimit të telekomanduar të ashensorit të pallatit të tij, ndërsa bashkë me Lamajn u vra dhe miku i tij i fëmijërisë Arsi. Eksplozivi ishte vënë në ashensorin e pallatit, ku kishte shtëpinë Lamaj, prapa stadiumit “Qemal Stafa”.
Vajdin Lamaj
Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy personat të vdekur në vend. Sasia e eksplozivit ka qenë e madhe.
Lexo edhe: Profili i Shullazit, që vrau biznesmenin në ashensor
Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lamaj. Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit u shkatërrua totalisht ashensori.
Vajdin Lamaj ishte një biznesmen i fuqishëm gjatë fillimit të viteve 2000 duke e shtrirë aktivitetin e tij në disa sektorë të ekonomisë.
Ai ishte Presidenti i Federates se Boksit dhe ish-Zv/president dhe bashkëpronar i “TOP Albania Radios” kur u vra përmes një bombe të telekomanduar në ashensor bashkë me shokun e tij.
Pak muaj para vrasjes, ai i shpëtoi një tjetër atentati. Më datë 15 tetor ndaj tij u qëllua me armë teksa dilte nga studiot e një televizioni. Nga atentati u plagosën dy persona.
Pas 15 viteve, SPAK arriti që të mblidhte prova duke akuzuar për këtë vrasje Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin, të cilët sipas prokurorisë së posaçme anti-korrupsion në bashkëpunim me bandën e Durrësit që akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut, eliminuan Lamajn./ db/Abcnews.al