Në plazhin e Divjakës akoma nuk ka vrojtues edhe pse janë ngritur tre kulla të rojeve bregdetare. Kurse pushuesit ende nuk janë njohur me kuptimin e sinjalistikës.
Këtu në Divjakë janë ngritur tre kulla vrojtimit. Ato duhet të kontrollojnë 7 kilometra vijë bregdetare të lëna për pushuesit.
Por, bizneset duket se nuk pranojnë të vendosin vrojtues. Instruktori i rojeve bregdetare thotë se prej muajit Maj bizneseve u janë lënë detyra të veçanta.
“Hasim shumë vështirësi me bregdetin. Sidomos në zonën e Divjakës”.
Krahas kullave të vrojtimit, për herë të parë këtë vit, pushuesit po shohin përgjatë bregdetit flamuj të shumtë.
Në vende të dukshme dhe kanë funksione paralajmëruese.
Anila Sefa: “Në të gjithë hapësirën publike në plazhin në Divjakë janë vendosur shenja sinjalizuese që njoftojnë pushuesit nëse duhet të lahen apo jo në det. Por shumë prej tyre nuk i njohin çfarë do të thonë ngjyrat e flamujve apo këto shenja në plazh”.
Vendosja e flamurit të kuq tregon se ndalohet rreptësisht futja në det. Flamuri i kaltërt, tregon det të qëndrueshëm për t’u lare, kurse i verdhi lejon notimin, por në monitorim të të tretëve.
Por përsa i përket pushuesve, ata kanë një tjetër perceptim për ngjyrat e flamujve. Disa i ngatërrojnë me flamujt e kampionatit botëror, ose të kuqin e marrin për flamurin shqiptar, të tjerë nuk kanë asnjë ide përse ato janë në plazh.
“Si flamuj i njohim. Janë zona në të cilat kanë kufizuar këta pronarët territoret e tyre”.
“Janë flamuj për kampionatin botëror. Më tepër për këtë e kanë bërë”.
“Nuk ia kam idenë”.
“E kanë një kuptim, por për momentin nuk i di çfarë janë”.
Plazhi i Divjakës frekuentohet nga vendasit dhe është kryesisht me familjarë. Një vit më parë këtu, dy persona humbën jetën duke u larë në det. /abcnews.al