Premto Gogo dhe Kristaq Kume e shohin të pamundur votën e Diasporës

schedule16:18 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 16:18 - 7 Dhjetor, 2020

Nga Esiona Konomi

Pamundësinë që emigrantët të votojnë në 25 prill, e konfirmojnë dhe ekspertët që mbikëqyrin proceset zgjedhore.

Premto Gogo nga KRIK Albania, edhe pse e njeh si detyrim kushtetues që diaspora të votojë, e sheh të pamundur për zgjedhjet e ardhshme.

 “Fakti që politika ka dështuar t’ju garantojë këtë të drejtës, nuk do të thotë që ata nuk e kanë. Por në kushtet që jemi, KRIK mendon se nuk ka më kohë”, shprehet ai.

Problemin eksperti Kristaq Kume e sheh që në gjenezë, kur Këshilli Politik nuk e shkroi në Kodin Zgjedhor një formulë konsensuale se si duhet të votojnë emigrantët.

“Duke mos u shtjelluar në ligj, në veçanti në kushtet kur situatat politike në vendin tonë janë të ngarkuara, çdo vendim i KQZ-së për këtë çështje do të jetë i ekspozuar ndaj qëndrimit kundër të opozitës. Kjo gjë duhet të ishte vendosur në Këshillin Politik”.

 “Ishte një patate e nxehtë që u hodh në duart e KQZ-së”, tha Premto Gogo.  

Gogo dhe Kume, thonë se procesi është i rrezikuar jo vetëm për kohën e paktë, por për shkak se do të bëhen ndërhyrje të dyshimta në listën e zgjedhësve.

“Që tani është një proces i kompromentuar dhe pa transparencë”, u shpreh ai.  

“Besimi i palëve tek mënyra e votimit është kusht. Votimi me fletë që zgjedhësi mund ta shkarkojë vetë online, është proces që nuk besoj se krijon besim tek palët. Fleta e votimit duhet t’i dërgohet me postë zgjedhësit. Në rastin tonë, besimi tek shërbimi i postës publike është problematik. Opozita tashmë ka filluar ta artikulojë këtë mungesë besimi. Votimi me postë mund të bëhet duke përdorur shërbime nga të tjera kompani që ofrojnë shërbimin postar”, tha më tej Kristaq Kume.

Përfaqësuesi i KRIK Albania, paralajmëron dhe një rrezik tjetër që mund të ndodhë nëse njëra palë shkon përpara me votën e emigrantëve.

“Mund të jetë një arsye për mos-njohjen e rezultatit në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai.

Ekspertët i shohin të dyja palët bashkë, në një plan për të larë duart me emigrantët.

“Kjo mund të shkaktojë delegjitim të votës së emigrantëve. Ne e e provuam, por nuk bëhet, dhe për ta mbyllur përgjithmonë këtë diskutim”.

Gogo sugjeron që përfundimisht, emigrantët të mos votojnë as në 2021, por parlamenti i ri, ku PD të ritakohet me PS, të nisë një reformë të vërtetë elektorale që të krijojë kushte të qarta dhe hapësirë reale që emigrantët të votojnë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!