Pakistan, mbi 120 të vdekur në një sulm vetëvrasës

schedule21:59 - 13 Korrik, 2018

schedule 21:59 - 13 Korrik, 2018

Mbi 120 persona kanë mbetur të vrarë të premten në Pakistan, në një atentat terrorist që kishte në shënjestër një tubim elektoral. Ndërkohë, arrestimi i ish-kryeministrit të vendit ka ngritur dyshimet se sulmet mund të kenë sfond politik.

Një atentator vetëvrasës u ka marrë jetën 128 personave dhe ka plagosur rreth 150 të tjerë në një qytet në jug-perëndim të Pakistanit, ku po mbahej një tubim elektoral. Sipas mediave ndërkombëtare, kandidati politik që kishte thirrur mbështetësit e tij është mes viktimave. Më herët, një sulm me bombë u verifikua në një tubim të ngjashëm në qytetin Banu, ku druhet se dhuna mund të përshkallëzohet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 korrikut. Ndërkohë, ish-kryeministri i vendit, Nawaz Sharif është arrestuar të premten pasi është kthyer në Pakistan nga Mbretëria e Bashkuar. Sharif dhe e bija Marjam janë marrë nën kontroll nga autoritetet policore sapo kanë prekur tokën në qytetin Lahore. Kryeministri që ka qeverisur vendin për tre mandate u rrëzua vitin e kaluar nga pushteti pas një hetimi për korrupsion. Javën e kaluar, ai u dënua në mungesë me 10 vjet burg. Sharif ka akuzuar sistemin pakistanez të sigurisë për komplot në dëm të tij në prag të zgjedhjeve. Dhe në fakt, sulmet terroriste që kanë përgjakur vendin kanë ardhur pas dënimit të tij nga gjykata e anti-korrupsionit. Sulmet e së premtes erdhën vetëm pak orë pasi ish-kreu i qeverisë të mbërrinte në vend dhe aktualisht qyteti ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, për të shmangur një grumbullim të mbështetësve të tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!