Anulohet koncesioni Milot-Fier, Ministria: Kompania nuk plotësonte kriteret

schedule16:13 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 16:13 - 7 Dhjetor, 2020

Erblina Mile

Anulohet koncesioni për ndërtimin e autostradës  Milot-Fier. Vendimi është publikuar në Agjencitë e Prokurimeve Publike ku përcaktohet se shkak për këtë vendim  janë kushtet teknike të ofruara nga kompania.

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës ka s’kualifikuar kompaninë pasi nuk është përmbushur kushti teknik siç është koha e ndërtimit të këtij segmenti.

Qeveria në tender ka përcaktuar se afati për të përfunduar këtë projekt duhej të ishte 5 vite ndërsa kompania në garë ka  kërkuar 8 vite kohë.

Por përtej kësaj mësohet se  kompania e cila është ofruar për të ndërtuar 115 kilometrat e këtij segmenti ka dhënë një ofertë financiare  të favorshme duke vendosur një tarifë prej 0.62 euro për kilometër, më të ulët se baza prej 0.75 euro e vendosur nga qeveria shqiptare.

Anulimi ka ardhur pas dy shtyrjeve të afatit për hapjen e garës e cila është hapur në  1 korrik. Sipas përllogaritjeve kompania e cila do të ndërtojë rrugën prej 53 kilometrash nga Miloti në Lekaj dhe do të rehabilitojë segmentin ekzistues prej 62 kilometra nga Lushnja në Fier, duhet të investojë në total  rreth 1.2 miliardë euro.

Qarkullimi në këtë autostradë parashikohet të bëhet kundrejt pagesës që do jetë  7.5 Euro për 100 kilometra që do të vendoset për automjetet që do të kalojnë në këtë aks.

Buxheti i shteti parashikohet  të paguajë 10% të vlerës së investimit,  ose 121  milionë Euro në 16 vitet e para. .Në bazë të këtij projekti rruga Milot-Fier do të përshkohet për 1 orë e 15 minuta ndërsa kalimi do të jetë me pagesë. Segmenti Milot-Fier ka një gjatësi prej 115 km dhe do të jetë , pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian./abcnews.al/

AUTOSTRADA MILOT-FIER

GJATËSIA   115 KM

KOSTO    1.2 MLD EURO

PAGESA    7.5 EURO PËR 100 KM

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!