I presin pensionin e invaliditetit, familja me 6 anëtarë jeton në varfëri ekstreme

schedule13:22 - 6 Dhjetor, 2020

schedule 13:22 - 6 Dhjetor, 2020

Varfëria ka kapluar çdo qelizë në familjen Lako në qytetin e Korçës. ABC sjell një histori ku dhimbja është protagonistja kryesore për 6 anëtarë të kësaj familje. Sëmundje, lot, trishtim, varfëri ekstreme dhe heshtje të institucioneve vendore.

Kjo është ajo çka gjetëm brenda mureve të një ndërtese të vjetër ku strehohen pjesëtarët e familjes Lako. Valbona është invalide, nëna e 3 fëmijëve të sëmurë e cila përveç skamjes, prej një viti rënkon në shtrat për shkak të gjendjes shëndetësore.

Si të mos mjaftonte varfëria, Valbona tregon se ka përjetuar dhunën e bashkëshortit, i cili është i alkoolizuar.

Përveç dhunës së bashkëshortit tregon se të zotët e shtëpisë ku jetonte me qira, nuk kanë kursyer as fëmijët.

“Kërkonin dritat, ujin, qiranë e shtëpisë, nuk i paguanim dot. Derisa arritën dhe dhunonin fëmijët, i përzinin”, thotë Valbona.

Teksa rrëfen jetën me vuajtje, lotët nuk i ndal. Dhimbja më e madhe nuk është këmba e saj e thyer por fëmijët të cilëve nuk iu shërben dot.

“Sot që fëmijët e mi kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për mua unë nuk jam në gjendje as ti çojë në shkollë. Vajza është nxnënëse e 10-ës, më dhemb shpirti kur e coj pa bukë”, thotë Valbona.

Vajza e vogël e Valbonës, vetëm 9 vjeç, me aq sa mundet i shërben nënës së saj. “I ndërroj bebelinën, e laj, e ndihmoj që të shkojë në banjë”, thotë vogëlushja.

Valbona tregon se, nuk e ka të mundur tu sigurojë fëmijëve as kushtet që atyre e duhen për të mësuar.

“Nuk i pajis dot unë me telefona, ku ti gjej tabletat, ku ti gjej …unë skam bukë të ha, unë jam pa zjarr në shtëpi, ne lahemi në ujë të ftohtë”, shprehet ajo.

Mllefi është i dukshëm në sytë e saj për pushtetarët, të cilët sipas saj i kanë mbyllur gjithmonë dyert.

“Më hoqën kempin, ma kanë bllokuar, ma hoqen ndihmën ekonomike, më binin këmbët nëpër bashki, nëpër zyra. I kam rritur fëmijët me një vakt bukë, me ndihmën e kishës, kam marrë 400 mijë lekë borxh”, shprehet Valbona.

Edhe nëna e Valbones me lot në sy bën apel për ndihmë pasi kushtet janë ekstreme. Derisa dikush të shohë vuajtjen e kësaj familje e cila nuk siguron dot as ushqimin, 6 anëtarët e familjes Lako do të vijojnë të jetojnë në këtë shtëpi të rrënuar mes varfërisë ekstreme.  /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!