FMN kërkon rishikim të sistemit të taksave në 2021: Sistemi në Shqipëri kompleks

schedule12:24 - 6 Dhjetor, 2020

schedule 12:24 - 6 Dhjetor, 2020

Nga Erblina Mile

Bizneset në Shqipëri po përballen me një sistem taksash të paqartë dhe të padrejtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerësimet e tij të fundit ka theksuar rëndësinë për rishikim të sistemit të taksave gjatë vitit të ardhshëm. Në raport theksohet se pas kalimit të krizës së krijuar nga pandemia është e nevojshme një ndërhyrje tërësore në ligjet tatimore që shpesh herë krijojnë abuzime dhe dëmtojnë klimën e të bërit biznes.

FMN argumenton se sistemi i taksave të Shqipërisë është kompleks dhe  i fragmentuar, dhe ndryshimet e  shpeshta ad hoc kanë dëmtuar stabilitetin dhe transparencën  e sistemit. Nisur nga ky përfundim kërkohet të realizohet një ndërhyrje thelbësore për të krijuar një sistem tatimor më efikas e transparent  i cili do të përmirësonte klimën e të bërit biznes  si dhe do të zvogëlonte informalitetin i cili vlerësohet të jetë mbi 30%. Pas përkeqësimit të nivelit të ardhurave por edhe të rritjes së borxhit publik FMN e cilëson me shumë rëndësi këtë nismë  edhe në drejtim të uljes së  nivelit të borxhit .

Sipas FMN të ardhurat fiskale në vend gjatë periudhës janar-shtator kanë pësuar një ulje me rreth 10.6%  si pasojë e tkurrjes ekonomike dhe për shkak të masave që u morën për shtyrjen e taksave.

Problemet  e krijuara nga sistemi  taksave  janë ngritur nga bizneset edhe së fundmi ku një ndryshim i procedurave tatimore shkaktoi  abuzime  për shkak të keq intrepretimit nga administrata tatimore në lidhje me bllokimin e llogarive bankare të administratorëve dhe aksionerëve. Ministria u detyrua që të tërhiqej nga  ky vendim pas reagimit të bizneseve në vend por përfaqësues të bizneseve theksojnë në shume ligje ka paqartësi dhe shpesh herë  abuzohet  me interpretimin. /abcnews.al