Vrasja e efektivit të FNSH-së, kamerat dhe tabulatet, shpresa e policisë për të shkuar te autorët

schedule10:42 - 6 Dhjetor, 2020

schedule 10:42 - 6 Dhjetor, 2020

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ekzekutimi i efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela ende nuk ka asnjë të arrestuar lidhur me ngjarjen. Përpos tabulateve telefonike puna e grupit hetimor është fokusuar edhe te kamerat e sigurisë që mund t’i çojë në gjurmët e autorëve.

“ABC” mëson se grupi hetimor ka sekuestruar pamjet që kanë fiksuar kamerat e sigurisë së bizneseve në rrugën kryesore në vendin që u ekzekutua i riu pranë fshatit Gajush në Lezhë.

Por si ndodhi ngjarja e djeshme? 

Ai u gjet i vrarë në makinën e tij tip “Volkswagen” rreth orës 03:00 të ditës së djeshme. Gazetari i “ABC”-së Gjergji Figuri raportoi se efektivi kishte qenë në Rinas për të marrë shokun e vëllait të tij, i cili vinte nga Anglia sëbashku me të motrën. Ne mesnatë ai është kthyer me ta nga aeroporti dhe i ka dërguar deri në Shkodër.

Më pas ai është kthyer dhe gjatë rrugës për në Lezhë teksa po kalonte ka parë një automjet dhe i është bërë me drita, ndërsa një person ishte jashtë makinës. Prela e ktheu serish automjetin në drejtim të Lezhës dhe në atë moment iu afrua personi që ishte në rrugë tek dera e pasagjerit

Xhulio Prela hapi xhamin dhe disa sekonda më pas ai ka tentuar të largohet por në momente i është afruar një person tjetër, i cili e qëlloi me një plumb në zemër. Në gjaknxehtësi 26 vjeçari i dha gaz makinës dhe atentatori ka gjuajtur edhe dy herë të tjera me pistolete, ku njëri plumb kapi xhamin e pasëm te automjetit ndërsa tjetri targën.

Të afërmit shprehen se nuk kanë asnjë dyshim tek miku i Prelës, të cilin ai e mori nga aeroporti i Rinasit duke hedhur dyshimet se gjithçka mund t’i ketë ndodhur për shkak të punës si polic./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!