Maksi Rama
Ankthi dhe stresi i krijuar nga pandemia ka rritur ndjeshëm këshillimin e psikologëve ndaj nxënësve. Psikologia e shkollës Mihal Grameno në kryeqytet, Oriola Heta flet për shqetësime të shtuara nga fëmijët.
Nëse para përhapjes së Covid, këshilloheshin me psikologun 8 apo 9 fëmijë në muaj, tashmë janë 15-16 seanca këshillimi.
“Sigurisht që nxënësit mund të përjetojnë ankth edhe stres nga situata në të cilën gjendemi. Fokusi më i madh tani mbetet tek simptomat e ankthit dhe të frikës që, shpesh nxënësit përjetojnë. Duke mos anashkaluar problemet moshore.”
Sipas psikologes, pandemia ka shtuar edhe sensibilizimin e prindërve apo nxënësve për t’ju drejtuar specialistit për problemet që lidhen shëndetin mendor.
“Një lloj perceptimi shumë pozitiv kemi pasur pas pandemisë. Prindërit janë bërë më të ndjeshëm, mësuesit gjithashtu. Pas tërmetit dhe pandemisë, rastet kanë qenë më të shtuara ku ndihma është kërkuar edhe nga prindërit edhe mësuesit.”
Rikthimi i nxënësve në bankat e shkollës, sipas psikologëve është terapia më e mire për shëndetin e fëmijëve.
“Jeta sociale që ata bëjnë në shkollë i ndihmojnë që të reduktojnë sa më shumë këto simptoma të ankthit apo të frikës që mund të ndikohen nga lajmet apo bisedat e prindërve.” /abcnews.al/