Kreu i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj ka deklaruar se në pranverë do të hapen galeritë e parë te Astiri. I ftuar në Radar Informativ me Jonida Shehun, Veliaj tha se qytetarët e Tiranës nuk duhet të mërziten për trafikun, pasi sipas tij po punohet për një qytet më të mirë.
Kryebashkiaku fajësoi opozitën që i pengoi tre vite me projektin e Astirit dhe sipas tij kjo solli më pas që të bllokohen edhe për projekte të tjera.
“Më thuaj një njeri që nuk mërzitet edhe në shtëpi kur ndërron dy pllaka, është një mërzitja që shtëpia do të bëhet më mirë. U vonua tre vite te Astiri dhe projektet kapën njëri-tjetrin. Shumë qytetarë e kanë kuptuar mjaftueshëm se nëse ke zgjedhur të jetosh në Tiranë, kur ti zgjedh të lësh Delvinë, ke nënshkruar një marrëveshje se në orën 8 do dalësh me 200 mijë veta të tjerë. Janë punë që duhen bërë. Sapo kemi hapur Zogun e Parë dhe ka dalë një mrekulli.
Ne do mbarojmë në pranverë 5 galeritë e parë te Astiri. U vonuam tre vite. Ftesa ime është që jam me ju, edhe unë stresohem. Është tjetër gjë të bllokohet se po punohet dhe tjetër gjë të bllokohet se digjen goma.
LEXO EDHE: Dyndja në urbane, Veliaj: Zgjidhja më e mirë është maska, e rekomandon edhe shkenca
S’duhen politizuar punët. U vonuan tre vite. Ne bllokoheshim aty si vazhdon segmenti tjetër (Unaza e Madhe) kur nuk di çfarë terreni ke. Ne do ti mbarojmë në tre muajt e ardhshëm”, tha Veliaj.
I pyetur për parkimet, Veliaj tha se do të shtohen, ndërsa pagesën e cilësoi si më të ulëtën në Ballkan.
“Sa më shumë rrugë të bëhen aq më shumë makina vijnë. Qyteti duhet të gjejë një balancë. Do shtohen parkimet. Tarifa sot është më e ulëta. Ne e kishim parkimin pa pagesë dhe vinte ai që nuk ishte rezident dhe e linte makinën 5 ditë. Pagesa minimale është më e lira sot në Ballkan. Por nuk janë zero se ndryshe dikush me zero e lë makinën 5 ditë aty”, tha ai. g.v/abcnews.al