Samiti i Nato-s, Trump akuzon: Gjermania dhe Franca kontrollohen nga Rusia

schedule14:18 - 11 Korrik, 2018

schedule 14:18 - 11 Korrik, 2018

Në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Gjermanisë dhe Francës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se këto dy shtete kontrollohen nga Rusia. Ndërsa, sekretari i përgjithshëm mbështeti qëndrimin e SHBA-ve rreth rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

“Në kohë kur Aleanca Atlantike e Veriut përballet me sfida sigurie të jashtëzakonshme, ajo duhet të prodhojë rezultate pavarësisht ndasive dhe mosmarrëveshjeve në gjirin e NATO-s”.

Ky është mesazhi kryesor që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përçuar para fillimit të samitit të liderëve të vendeve të NATO-s në Bruksel. Por ndasitë në gjirin e  NATO-s kanë filluar që me mëngjesin e punës midis sekretarit të përgjitshhëm të NATO-s me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur hapur pakënaqësinë për vendet anëtare të NATO-s që nuk shpenzojnë sa duhet në fushën e mbrojtjes dhe ka ironizuar me mbrojtjen që duhet t’u ofrojnë SHBA-të aleatëve europianë kundër Rusisë ndërkohë që sipas tij, Gjermania dhe Franca derdhin miliarda dollarë në gazësjellësat me Rusinë.

Donald Trump: “Shumë vende nuk paguajnë në nivelin që duhet për mbrojtjen. Shumë vende i detyrohen shuma të mëdha parash Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u është dashur të paguajë për to. Po të shihni periudhën e 20 viteve të shkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë derdhur shuma masive parash. Kjo situatë ka vijuar prej dekadash për shumë presidentë të Amerikës, por asnjë president nuk e ka ngritur këtë çështje si unë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s është angazhuar që vendet e tjera të rrisin buxhetin e mbrojtjes këtë vit dhe tani kemi angazhime për 40 miliardë dollarësh më shumë, por ky është një hap i vogël”.

Jens Stoltenberg: “Ky samit është i një rëndësie të veçantë sepse ne përmballemi me sfida sigurie të jashtëzakonshme dhe në të njëjtën kohë shohim qëndrime të ndryshme në gjirin e NATO-s. Të gjithë jemi dakord që në duhet të bëjmë më shumë lidhur me shpenzimet në fushën e mbrojtjes lajmi i mirë është se Aleatët po investojnë më shumë. Pas dhjetëvjeçarë shkurtimesh në fushën e mbrojtjes, Aleatët po shtojnë miliarda euro për shpenzimet për mbrojtjen. Ne parashikojmë 266 miliarda dollarë shtesë për shpenzimet deri në 2024-n. Forcimi i kapaciteteve tona është në interesin e përbashkët politik dhe gjeostrategjik dhe presim gjithashtu të dimë së bashku me liderët e NATO-s lidhur me kënvështrimin tuaj pas takimit që do keni me presidentin rus Vladimir Putin”.

Donald Trump: “Duhet të them, se është shumë e trishtueshme që Gjermania bën marrëveshje prej miliardash eurosh për gazin dhe naftën me Rusinë, ndërkohë që presupozohet se duhet t’ju mbrojmë ndaj Rusisë, Gjermania derdh miliarda në arkat e Rusisë. Pra, ne po mbrojmë Gjermaninë, Francën dhe vende të tjera, ndërkohë që disa shtete shkojnë e bëjnë marrëveshje gazësjellësash me Rusinë dhe derdhin miliarda dollarë në arkat e Rusisë. Ne duhet t’ju mbrojmë ju nga Rusia, ndërkohë që ata derdhin miliarda dollarë në arkat e Rusisë”.

Në seancën e hyrjes së samitit të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar, se NATO duhet të prodhojë rezultate për forcimin e trupave të NATO-s,  misionin për trajnimin në Irak, modernizimin e komandës së NATO-s në Virgjininë Veriore dhe Gjermani, por edhe për shpenzimet e NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!