Rezultatet përfundimtare nga testet e vaksinës së Moderna kundër Covid-19 konfirmojnë se ajo ka efikasitet 94% dhe askush që u vaksinua me të nuk zhvilloi sëmundje të rëndë, thotë kompania, duke filluar procesin e miratimit me rregullatorët në të gjithë botën.
Kompania amerikane po u dorëzon të dhëna rregullatorëve në SHBA, Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar për një licencë emergjence. Pritet që Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA ta shqyrtojë kërkesën në një takim në 17 dhjetor, tha Moderna.
Britania e Madhe ka blerë 7 milion doza të vaksinës – 5 milion ditën kur Moderna njoftoi rezultatin e saj të përkohshëm të efikasitetit 94.5% dhe një shtesë prej 2 milion javën e kaluar.
Moderna, me seli në Massachusetts, ka marrë 2.48 miliardë dollarë në fondet federale të SHBA-së dhe ishte një pjesë e rëndësishme operacionit Warp Speed të administratës së Trump.
Megjithëse ka bërë marrëveshje në të gjithë botën, SHBA do të marrin aksesin e parë të këtyre vaksinave. Moderna tha se pritet të ketë 20 milion doza të vaksinës së saj gati për përdorim në SHBA deri në fund të këtij viti.
Në gusht, SHBA bleu 100 milion doza me një mundësi për 400 milion më shumë të tilla. Moderna thotë se është në rrugën e duhur për të prodhuar 500 deri në 1 miliard doza deri në 2021.
Ashtu si Pfizer / BioNTech, Moderna ka përdorur teknologjinë e re mRNA (ARN e dërguar) për të zhvilluar vaksinën e saj, duke përfshirë kodin gjenetik të virusit.
Të dyja kompanitë kanë njoftuar rezultate të jashtëzakonshme dhe shumë të ngjashme. Analiza përfundimtare e të dhënave të Pfizer i dha vaksinës së saj një efikasitet prej 95%. s.b/abcnews.al/