Regjisori Andi Deliana ka dhënë detaje të reja mbi projektin e tij më të fundit që mban titullin “Misioni” që në anglisht titullohet “My mother is a Cosmonaut”. I ftuar ditën e sotme në “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, regjisori tha se falë negocimeve të producentes Ana Rebichia, pjesë e kastit mund të jetë dhe aktori Michael Madssen.
“Janë disa copëza të vërtetash të mëdha në një gënjeshtër dhe më të madhe. Relacioni prind-fëmijë dhe ku prindi mundohet të tregojë ose ta vendosë rrethanat në një situatë të caktuar në mendjen e një fëmije, që t’ja zbukurojë realitetin.
Janë gjëra që kanë ndodhur në një pjesë të mirë të familjeve shqiptare. Copëza të tjera të vërteta janë dhe fakti që disa familje shqiptare mund të kenë patur një interes me “luftën” e yjeve apo me të rejat në eksplorimin e atëhershëm të hapësirës.“, u shpreh ai.
Gjithashtu regjisori zbuloi dhe disa nga personazhe të që do të jenë pjesë e kastit të filmit. “Ka disa të huaj dhe shumë shqiptarë në kasting. Në rolin kryesor të babait është Arben Bajraktaraj, Ndriçim Xhepa. Pastaj kam për dy role tipike që janë sigurimsa partie për personazhet që kam shkruar janë Gentjan Zenelaj dhe Jul Deda.”, tha ai. /abcnews.al


