Të gjithë Federatat e Futbollit vendosën të mbanin nga një minutë heshtje në nderim të Diego Armando Maradonës në përballjet e kësaj fundjave. Legjenda e futbollit botëror u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare ditën e mërkurë dhe të shumta ishin homazhet dhe nderimet për të.
Por jo të gjithë kanë qenë dakord dhe në Spanjë është regjistruar një episod i çuditshëm në futbollin e femrave. Sot u luajt një përballje miqësore mes Viajes Interrias (skuadër e divizionit të tretë) dhe Deportivo La Coruna.
Një minutë heshtje për argjentinasin përpara fillimit të takimit, dy ekipet në heshtje, teksa një prej lojtarëve të Viajes Interrias i befason të gjithë. Paula Dapena shkon kundër rrymës dhe ulet në drejtim të kundërt me shoqet e skuadrës, vendim të cilin e shpjegon për Pontevedra Viva.
“Për viktimat e tjerë nuk mban askush një minutë heshtje. Kështu që nuk mund të respektoja minutën e heshtjes për një ngacmues vajzash“, thekson 24-vjeçarja. Më 25 nëntor ishte dita botërore kundër dhunës ndaj grave, datë kur Diego Maradona u largua nga kjo jetë. /abcnews.al