Humbja 4-0 ndaj Partizani ka sjellë mërzitje në kampin e Skënderbeut. Trajneri Julian Ahmataj, në prononcimin e dhënë për Supersport, analizon disfatën e thellë, teksa zbulon edhe futbollin që po tenton të luajë tek ekipi korçar, që ka shumë lojtarë të rinj në moshë në përbërje.
“Shumë mungesa dhe shumë ndryshime në formacion. Ekuilibrat u prishën nga dy goditje standardë që u realizuan në perfeksion nga kundërshtari. Morali bie pas kësaj, sidomos në një skuadër të re.
Kemi lojtarë të talentuar, por u duhet kohë për të ardhur në ritmin e ndeshjeve. Mundohemi t’i japim lojtarëve pozicionet e duhura dhe që të shprehen në fushën e lojës.
Gjërat psikologjike ndikojnë te lojtarët e rinj, por është eksperiencë për t’u marrë. Gjithmonë tentojmë të luajmë futboll dhe të sulmojmë, nuk duam të qëndrojmë vetëm në mbrojtje.
Sot ishte një moment jo, mungesat ndikuan, shpresoj t’i rikuperojmë sa më shpejt, pasi ata na japin shumë forcë për vazhdimësinë“, deklaron Ahmataj. /abcnews.al